ARRU logo
1960 - Lajmi_ | Autoriteti rregullator per sherbimet e ujit

Publikimet

NDARJA E ÇMIMEVE PËR PERFORMANCËN E KOMPANIVE PUBLIKE TË UJËSJELLËSIT -PN3/09 Datë: 04.06.2009


21.12.2010

NDARJA E ÇMIMEVE PËR PERFORMANCËN E KOMPANIVE PUBLIKE TË UJËSJELLËSIT

Në një takim pune që u mbajt sot në Prishtinë, të organizuar nga Zyra Rregullatore për Ujë dhe Mbeturina (ZRRUM) në bashkëpunim dhe me përkrahjen e projektit për monitorimin e performancës së kompanive të ujit, projekt ky që financohet nga Zyra Zvicerane, u prezantuan rezultatet e vlerësimit të performancës së 7 kompanive regjionale të cilat ofrojnë shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit në Kosovë.

Në këtë takim, ku merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha institucioneve relevante të sektorit të shërbimeve të ujit në Kosovë: Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor (MMPH), Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP), donatorëve (KfW, SDC, ZNKE), Shoqatës së Kompanive të Ujësjellësit (SHUKOS) etj., ZRRUM bëri shpalljen e kompanive të ujësjellësit që kanë demonstruar performancën më të mirë në vitin 2008.

Bazuar në rezultatet e vlerësimit të performancës për vitin 2008, ZRRUM ndau dy çmime:

(i)     Çmimin për performancën më të mirë në vitin 2008:
        Kompania Rajonale e Ujësjellësit – ‘PRISHTINA” Sh.A, Prishtinë

(ii)     Çmimin për performancën më të përmirësuar në periudhën 2007-2008:
        Kompania Rajonale e Ujësjellësit – “HIDRODRINI” Sh.A, Pejë kompanive

 

Për kompanitë fituese të çmimeve, zt. Guido Beltrani nga Zyra Zvicërane për Bashkëpunim (SDC), ndau nga një shpërblim modest financiar (2500 EUR për KRU ‘Prishtina’ respektivisht 1000 EUR për KRU ‘Hidrodrini’).

Zt. Afrim Lajçi, Drejtor i ZRRUM, theksoi me këtë rast se:
“Qëllimi i ndarjes së çmimeve për kompanitë publike të ujësjellësit është që të promovohen vlerat dhe standardet më të larta të punës si dhe ngritja e efiçencës në punën e këtyre kompanive, e që ka për synim final ngritjen e cilësisë së shërbimeve që u ofrohen konsumatorëve në Kosovë nga kompanitë publike të ujësjellësit”.

Z. Lajçi theksoi se matja e performancës së kompanive publike të cilat ofrojnë shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit dhe raportimi publik për performancën e tyre është një prej aktiviteteve më të rëndësishme të ZRRUM. Ky aktivitet, sipas zt. Lajçit është i rëndësishëm për disa arësye:

 

  • I mundëson ZRRUM që të mbikëqyrë se sa kompanitë e licencuara i përmbushin obligimet e tyre të përcaktuara me kuadrin ligjor dhe me licencat e shërbimit;

  • Në këtë mënyrë kontribuohet në rritjen e transparencës për punën e kompanive të ujësjellësit duke e bërë publike punën e tyre dhe duke e njoftuar publikun dhe palët e interesit me nivelin e performancës së këtyre kompanive publike;

  • Me vlerësimin e performancës së tyre dhe rangimin e kompanive sipas performancës më të mirë të vlerësuar në bazë të treguesve kyç të performancës, besoj se ndikojmë në krijimin e frymës së kompeticionit në mes të kompanive të ujësjellësit dhe ky kompeticion unë besoj se do t’i stimulojë kompanitë që të punojnë më mirë dhe të ngrisin cilësinë e shërbimeve që iu ofrohen konsumatorëve.

  • Në këtë mënyrë jepet një pasqyrë e plotë e punës së sektorit të ujit në Kosovë si dhe trendët e zhvillimit që është informacion i dobishëm për të gjitha palët e interesuara.

Përpos prezantimeve dhe diskutimeve për performancën e kompanive regjionale të ujit në Kosovë, në këtë takim u prezantua edhe performanca e kompanive të ujit të Maqedonisë si dhe të kompanive të ujit të Shqipërisë, nga përfaqësuesit e këtyre dy vendeve.

“Me shpresë se ky bashkëpunim do të evulojë më tutje dhe do të zhvillohet në një bashkëpunim të përhershëm në formë të krijimit të një sistemi regjional të ‘benchmarking-ut’ që do të jetë me interes për vendet tona për të pasur idenë se si qëndrojnë kompanitë e Kosovës në krahasim me kompanitë e vendeve tjera dhe anasjelltas. Po ashtu shpresoj se idesë së bashkëpunimit në ‘benchmark’ regjional do ti bashkëngjiten edhe vendet tjera të regjionit si Mali I Zi, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Serbia etj.’, tha ndër të tjera z. Lajçi.

Të pranishmit i përshëndeti edhe zt. Guido Beltrani nga Zyra Zvicërane për Bashkëpunim, i cili premtoi se qeveria e Zvicrës do të vazhdojë të mbështesë edhe mëtutje sektorin e ujit në Kosovë. Në këtë kontekst ai përmendi projektin që ka filluar i financuar nga qeveria e Zvicrës me të cilin është krijuar ‘Task Forca e Ujit’ e kryesuar nga Kryeministri i Kosovës përmes të cilit projekt do të adresohen problemet e sektorit të ujërave në Kosovë me qëllim të menaxhimit më të mirë të resurseve ujore në kosovë dhe me qëllim të krijimit të një sektori të qëndrueshëm të shërbimeve të ujit dhe kanalizimit në interes të të gjithë qytetarëve të kosovës.