ARRU logo
1962 - Lajmi_ | Autoriteti rregullator per sherbimet e ujit

Publikimet

LICENCIMI I KOMPANIVE REGJIONALE TË MBETURINAVE - PN 5/09 Datë: 16.12.2009


21.12.2010

LICENCIMI I KOMPANIVE REGJIONALE TË MBETURINAVE

Sot në Prishtinë, me një ceremoni rasti, Zyra Rregullatore për Ujë dhe Mbeturina (ZRRUM), në pajtim me mandatin e vet ligjor të bazuar në Ligjin Nr. 03/L-086, bëri përtëritjen e Licencave të Shërbimit për gjashtë prej shtatë Kompanitë Regjionale të Mbeturinave (KRM), të cilat ofrojnë shërbimet e grumbullimit të mbeturinave. Licencat e shërbimit të këtyre kompanive janë të vlefshme për afat 1-vjeçar, duke filluar nga data 01 dhjetor 2009.

Kompanitë e licencuara janë:
    (i) KRM ‘Pastrimi’ Sh.A, Prishtinë
    (ii) KRM ‘Ambienti’ Sh.A, Pejë
    (iii) KRM ‘Ekoregjioni’ Sh.A, Prizren
    (iv) KRM ’Çabrati’ Sh.A, Gjakovë
    (v) KRM ‘Pastërtia’ Sh.A, Ferizaj
    (vi) KRM ‘Uniteti’ Sh.A, Mitrovicë


E vetmja Kompani Regjionale e Mbeturinave që ka mbetur e palicencuar është KRM “Higjiena” Sh.A. Gjilan e cila nuk ka aplikuar fare për vazhdimin e licencës së shërbimit. ZRRUM pas konsultimit me komunat përkatëse të cilat janë pronare të kësaj kompanie do të ndërmerr veprimet në pajtim me ligjin.

Afrim Lajçi, drejtor i ZRRUM, pasi i përshëndeti të pranishmit, theksoi se ZRRUM ka pasur dilema se a ti vazhdojë licencat e shërbimit apo jo për KRM-të, për arsye se praktikisht asnjëra prej KRM-ve nuk i plotëson kushtet ligjore për të qenë të licencuara.

“E gjithë kjo dilemë ka ndodh për faktin se pothuajse të gjitha KRM-të janë financiarisht të paqëndrueshme, si dhe nuk i kanë përmbushur obligimet e pagesës së taksës së licencimit ndaj ZRRUM. Megjithatë, në fund ZRRUM ka vendosur që ti vazhdojë licencat e KRM-ve edhe për një vit, duke dashur që mos të paralizohet ky sektor dhe duke shpresuar se gjatë kësaj periudhe do të rishikohet struktura institucionale në sektorin e mbeturinave dhe ri-definohen më qartë përgjegjësitë e aktorëve të këtij sektori si parakusht fundamental për tejkalimin e problemeve të krijuara në fushën e menaxhimit të mbeturinave në Kosovë”- tha z. Lajçi.

Z. Lajçi foli edhe rreth gjendjes aktuale në sektorin e mbeturinave në Kosovë, e cila është mjaft e rëndë. Këtë gjendje Lajçi e karakterizoi si në vijim:

 

(i)     Mungesa e politikave të qarta dhe planit strategjik për menaxhimin e mbeturinave që ka për pasojë paqartësitë ligjore lidhur me rolet dhe përgjegjësitë institucionale në fushën e mbeturinave;
(ii)     Cilësia e dobët e shërbimeve që iu ofrohen konsumatorëve dhe shtirja e vogël e shërbimeve në zonat rurale;
(iii)     Mosfunksionimi i inspektoratit në nivel qendror dhe komunal që ka për pasojë hedhjen e mbeturinave vend e pavend;
(iv)     Infrastruktura e pakompletuar për grumbullimin dhe trajtimin e mbeturinave komunale dhe në veçanti të atyre që janë të rrezikshme dhe toksike;
(v)      Mungesa e infrastrukturës dhe objekteve për ndarjen e mbeturinave dhe mungesa totale e praktikave për reduktimin dhe riciklimin e mbeturinave;
(vi)     Mungesa e vullnetit politik për krijimin e mekanizmave ligjor detyrues për arkëtimin e faturave për shërbimet e mbeturinave, që ka për pasojë praktikisht bankrotimin e KRM-ve dhe degradimin permanent të deponive të mbeturinave;
(vii)     Kapacitetet njerëzore dhe profesionale mjaft të limituara në institucionet qendrore dhe në komuna për menaxhim efikas të mbeturinave.

 

“Unë shpresoj që institucionet relevante siç janë MMPH-ja dhe komunat, në mënyrë imediate do ti qasen me seriozitetin dhe përkushtimin e duhur problemeve në menaxhimin e mbeturinave duke i dhënë statusin e prioritetit nacional meqenëse pasojat nga mospërfillja e problemeve të grumbulluara në këtë fushë mund të jenë të rënda dhe afatgjata. Kjo është e domosdoshme jo vetëm si një kusht për integrim në shoqërinë e vendeve të civilizuara evropiane por para së gjithash si një nevojë imanente e shoqërisë tonë për të jetuar në një ambient të pastër dhe të shëndetshëm si çdo vend tjetër normal që pretendon të jetë pjesë e familjes së popujve të civilizuar”- theksoi Lajçi.

Pas dorëzimit të licencave z. Lajçi falënderoi të pranishmit për ardhjen dhe bashkëpunimin e tyre gjatë procesit të licencimit duke u dëshiruar suksese në punë dhe duke i inkurajuar në angazhimin maksimal në përmbushjen e përgjegjësive të tyre që dalin nga licencat e dhëna.