ARRU logo
1951 - Lajmi_ | Autoriteti rregullator per sherbimet e ujit

Publikimet

Deklaratë për shtyp: Raporti Vjetor për Performancën e Kompanive të Ujit dhe Mbeturinave në Kosovë, 2010


21.12.2011

Deklaratë për shtyp: Raporti Vjetor për Performancën e Kompanive të Ujit dhe Mbeturinave në Kosovë, 2010

Kompanitë Rajonale të Ujit dhe Mbeturinave nuk i përmbushin pritshmëritë e Rregullatorit

 

Sot në një ceremoni që u mbajt në ‘Villa Gërmi’ të Prishtinës, Zyra Rregullatore për Ujësjellës dhe Mbeturina (ZRRUM), publikoi Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2010, për kompanitë publike të ujit (KRU) dhe të mbeturinave (KRM). Përveç përfaqësuesve nga KRU dhe KRM, të pranishëm ishin edhe zv Ministri i Ministrisë për Zhvillim Ekonomik z. Ramadan Hasani, zv Kryetari i parë i Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, z. Liburn Aliu, si dhe përfaqësues të donatorëve.

Në këtë raport është paraqitur një kornizë dukshëm më e përmirësuar për matjen e performancës në sektorin e ujit, duke u fokusuar në ato aspekte që ndikojnë direkt ose indirekt mbi konsumatorët, p.sh. nivelet e shërbimit, efiçencën e kostos dhe efiçencën komerciale.

Në vitin 2010 performanca e shtatë (7) KRU-ve është përkeqësuar dhe ata kanë dështuar të përmbushin detyrimet e tyre në lidhje me investimet dhe nivelet e shërbimit dhe për këtë arsye Raif Preteni, Drejtor i ZRRUM, për herë të parë ka vendosur që të mos ndajë çmime për performancën e treguar vjetore.

Në raport theksohet se humbjet e ujit janë në nivelet më të larta të të gjitha kohërave, të një sasie prej 83 milion metër kub në vit. situatë kjo e pa pranueshme kur dihet se furnizimi me ujë për konsumatorët është i pamjaftueshëm (d.m.th. 24 orë furnizim); shpeshtësia e plasaritjeve të gypave dhe bllokimi i kanalizimeve/vërshimeve janë shumë të larta dhe në disa raste është në rritje; ndërprerjet e furnizimit janë ende shumë më të larta sesa që duhet të jenë; dhe ankesat janë në rritje, duke reflektuar përkeqësimin e performancës. Fushat që kanë shënuar përmirësime gjatë vitit 2010 janë mbulueshmëria me shërbime të ujit dhe Efiçienca në arkëtim. Ndër shkaqet kryesore të kësaj situate janë paaftësia e KRU që të arkëtojnë borxhet e konsumatorëve të tyre dhe mos mundësia e realizimit të investimeve kapitale shumë të domosdoshme.

‘Është përgjegjësi e të gjithë konsumatorëve që të paguajnë në plotësi dhe me kohë faturat e tyre dhe se KRU-të duhet të bëjnë më shumë përpjekje që të arkëtojnë borxhet e tyre. Pa këto të ardhura situata vetëm do të përkeqësohet’ –deklaroi z. Preteni.

‘Edhe sektori i mbeturinave vazhdon të ketë performancë të dobët dhe performanca në 2010 tregon pak përmirësime krahasuar me vitin 2009. Përmirësimi është evident në shkallën e arkëtimit, megjithatë shkalla prej 61% është shumë e ulët dhe nënkupton se ky sektor mbetet ende në gjendje të paqëndrueshme financiare’ -tha ndër të tjera z. Preteni.

Informacionet e prezantuara në këtë raport janë në interes të konsumatorëve, menaxhmentit të KRU dhe KRM, Institucioneve vendore, donatorëve.